Search

Hapja e një llogarie bankare në Bullgari

Opening a bank account in Bulgaria

Hapja e një llogarie bankare në Bullgari

Bullgaria, vend anëtar i Bashkimit Evropian, ndodhet në zemër të Ballkanit. Pozicioni strategjik, regjimi tatimor i favorshëm dhe forca punëtore e kualifikuar e saj, bëjnë që ajo të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare.

Nëse po mendoni të zhvendoseni, apo të investoni në Bullgari, para së gjithash një nga pikat kyçe për t’u marrë në konsideratë është edhe hapja e një llogarie bankare vendase.

Si të huajt, ashtu edhe vendasit, mund të hapin llogari bankare në Bullgari; ky proces kërkon dorëzimin e disa dokumenteve dhe formularëve përkatës, të cilët do të paraqiten më poshtë në mënyrë të detajuar. Megjithatë, me rëndësi është të theksohet se lista është e përgjithshme dhe mund të ndryshojë në varësi të bankës që ju do të zgjidhni.

Në Bullgari ushtrojnë aktivitet bankar një numër i konsiderueshëm institucionesh bankare, disa prej tyre vendase, e disa të tjera ndërkombëtare, ku pjesa më e madhe ofron shërbime të ngjashme. Pra, kriteret kryesore të përzgjedhjes së një banke ku do të hapni llogarinë tuaj duhet të jenë tarifat dhe komisionet lidhur me transaksione të ndryshme.

Sektori Bankar në Bullgari

Banka Kombëtare e Bullgarisë (BNB) është anëtare e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore. Ajo shërben si rregullatore dhe mbikëqyrëse e pavarur e institucioneve bankare. Në të njëjtën kohë, BNB kryen kërkime dhe analizon të dhënat statistikore. Ajo raporton drejtpërsëdrejti në Parlamentin e Bullgarisë dhe mban një kurs këmbimi fiks prej 1 EUR = 1.95583 BGN.

Vendi ka më shumë se 20 banka të ndryshme, përfshi në to degë të bankave të huaja, si bankat estoneze, franceze dhe holandeze.

Bankat luajnë një rol kyç në sistemin financiar të Bullgarisë, pasi përfaqësojnë 83% të totalit të aktiveve të sektorit financiar. Institucionet e tjera financiare, si kompanitë e sigurimit, leasing-ut dhe fondet e investimeve, kanë një ndikim të kufizuar dhe me vëllime relativisht të vogla.

Gjatë viteve të fundit, sektori bankar ka shfaqur një rritje të qëndrueshme, si në kreditim, ashtu edhe në përftimin e depozitave, çfarë ka ardhur edhe si mbështetje e një niveli relativisht të ulët të thellësisë së sektorit financiar në ekonomi, i cili ofron një sfond të favorshëm për një zgjerim të konsiderueshëm në të ardhmen. Megjithatë, ende vijon të jetë e pranishme sfida e kredive me probleme (NPL); pavarësisht uljeve të ndjeshme që nga viti 2014, niveli i tyre mbetet relativisht i lartë.

Shërbimet Bankare në Bullgari

Bankat bullgare ofrojnë një gamë të gjerë shërbimesh standarde, ndër të cilat renditen:

  1. Bankingu për individë
  2. Bankingu për biznese
  3. Bankingu privat
  4. Bankingu online
  5. Shërbimet e brokerimit
  6. Bankingu institucional
  7. Bankingu i investimeve
  8. Transfertat ndërkombëtare
  9. Aftësia e menaxhimit të llogarive në monedha të huaja

 

Llojet e Llogarive Bankare në Bullgari

Institucionet bankare në Bullgari ofrojnë një larmi llojesh të llogarive, të cilat janë të strukturuara për të përmbushur sa më shumë prej kërkesave specifike të individëve dhe bizneseve, duke përfshirë në to:

  1. Llogaritë rrjedhëse
  2. Llogaritë e pagesave
  3. Llogaritë e kursimit
  4. Llogaritë e depozitave

 

Zgjedhja e një banke në Bullgari

Zgjedhja e një banke të qëndrueshme dhe me reputacion është thelbësore, sepse kjo garanton sigurinë dhe besueshmërinë e veprimeve me aktivet tuaja financiare. Një bankë me reputacion të fortë dhe stabilitet financiar ofron qetësi në mendje, duke e ditur në çdo kohë që investimet tuaja janë të mbrojtura më së miri dhe menaxhohen nga profesionistët më të besueshëm. Bankat kryesore në Bullgari përfshijnë:

  • UniCredit Bulbank AD
  • Banka e Bashkuar Bullgare AD
  • Eurobank Bulgaria AD
  • Banka e Parë e Investimeve AD
  • Banka Kooperative Qendrore AD
  • DSK Bank AD

Shumica e institucioneve bankare ofrojnë shërbime të ngjashme, kështu që një aspekt mjaft i rëndësishëm i zgjedhjes së bankës së duhur për hapjen e një llogarie janë tarifat dhe ndryshimet e ndryshme, ashtu si edhe disponueshmëria e degëve dhe ATM-ve.

Hapja e një llogarie bankare private në Bullgari

Në Bullgari një llogari bankare mund të hapet lehtësisht, si nga rezidentët, ashtu edhe nga jorezidentët, megjithëse dokumentacioni i kërkuar mund të paraqitet me disa ndryshime, veçanërisht për jorezidentët. Zakonisht nevojiten një dokument identifikimi i vlefshëm (për shembull, një pasaportë), vërtetim banimi dhe nganjëherë, një dëshmi e të ardhurave ose vërtetim i punësimit.

Disa banka mund të kërkojnë plotësimin e disa pyetësorëve ose deklaratave; të kërkojnë informacion të imtësishëm në lidhje me statusin tuaj të rezidencës tatimore, natyrën e marrëdhënies suaj me bankën, midis hollësive të tjera përkatëse. Banka ruan autoritetin për të vërtetuar të dhënat e identifikimit, të kërkojë dokumentacion shtesë dhe t’u përmbahet rregulloreve që kanë të bëjnë me pastrimin e parave.

Gjithsesi, për kërkesa specifike apo çdo kufizim tjetër në zbatim, e këshillueshme është që të kontaktoni drejtpërsëdrejti me institucionin bankar, pasi dokumentacioni i nevojshëm mund të jetë i ndryshëm në varësi të bankës së zgjedhur.

Hapja e një llogarie bankare biznesi në Bullgari

Gjatë regjistrimit të një kompanie në Bullgari, hapja e një llogarie bankare biznesi është e detyrueshme dhe njëherazi pjesë e pandarë e procesit të themelimit të kompanisë. Ndërkohë që procesi mund të jetë po aq i thjeshtë sa edhe hapja e një llogarie personale, një llogari biznesi kërkon dokumentacion më të gjerë dhe karakterizohet nga hapa burokratikë shtesë. Andaj, përpara se të kryeni procedurat e hapjes së një llogarie bankare biznesi, vlerësoni shërbimet e ofruara nga banka përkatëse, veçanërisht nëse kompania ka marrëdhënie ndërkombëtare ose aksionarë të huaj.

Për të hapur një llogari bankare biznesi në Bullgari, kërkohen disa dokumente, si për subjektet vendase, ashtu edhe ato të huaja. Për personat juridikë, siç janë kompanitë e përcaktuara sipas Nenit 357 të Ligjit për Detyrimet dhe Kontratat ose Persona të tjerë Juridikë, nevojiten dokumentet e mëposhtme:

  • Dokument zyrtar identifikimi i personit/ave që përfaqësojnë subjektin, ose të personit të autorizuar për të vepruar me llogarinë.
  • Prokurë e noterizuar, nëse është e aplikueshme, me nënshkrimet e autorizuesit/ve.
  • Të dhënat personale të identifikimit dhe ekzemplarët e nënshkrimeve të personave të autorizuar për të vepruar me llogarinë, të noterizuara pranë noterit ose në prani të një punonjësi të autorizuar të bankës.
  • Nenet e themelimit/marrëveshjes së shoqërisë, ose statutet, në të cilat jepen të specifikuara organet drejtuese dhe fuqia e tyre e disponimit mbi pronën.
  • Vendim që autorizon personat që mund të veprojnë me llogarinë, i noterizuar në rast se paraqitet në formën e fotokopjes.
  • Dokument që vërteton regjistrimin e njësisë ekonomike, me kodin e unifikuar të identifikimi (UIC) për subjektet e regjistruara, ose një kopje të vërtetuar të neneve të themelimit dhe një certifikatë regjistrimi aktuale për subjektet e paregjistruara.
  • Informacion për pronarët aktualë të subjektit, sipas Ligjit për Masat kundër Pastrimit të Parave.
  • Për subjektet që janë subjekt licencimi ose regjistrimi, një kopje e licencës, lejes ose certifikatës së regjistrimit përkatës.
  • Dokumentet ose informacionet shtesë të kërkuara në varësi të gjykimit të brendshëm të bankës.

 

Subjektet e paregjistruara në Regjistrin Tregtar dhe Regjistrin e Personave Juridikë Jofitimprurës duhet të paraqesin periodikisht dokumente që vërtetojnë statusin aktual të tyre. Megjithatë, dështimi në dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar brenda një afati 30-ditor të përcaktuar, mund të çojë në mbylljen e llogarisë nga ana e institucionit bankar.

Firma jonë është e specializuar në tatimet ndërkombëtare dhe ne kemi një skuadër që është më se e lumtur t’ju vijë në ndihmë për çdo çështje përkatëse dhe nëse është e nevojshme, t’ju lidhë me palët e interesit përkatëse, për të qenë pa ndërprerë në mbështetje të aktivitetit tuaj të biznesit në Bullgari. Ju lutemi mos ngurroni të na kontaktoni dhe të lini një takim prezantues me ne.

Informacione shtesë profesionale

Po konsideroni të ndërtoni biznesin tuaj në rajonin e Ballkanit?
Ekipi ynë është i gatshëm t'ju ndihmojë