Search

Biznesi në Kosovë

Business Activity in Kosovo

Biznesi në Kosovë

Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Kosova ka arritur të bëjë ndryshime të rëndësishme për sa i përket zhvillimit social dhe ekonomik të saj. Përkundër sfidave të së kaluarës, Kosova ka bërë çdo përpjekje, si përmes politikave të vëna në zbatim brenda vendit, ashtu edhe në marrëdhëniet me jashtë, që të krijojë një situatë e mjedis sa më të favorshëm për rritje ekonomike dhe angazhim më të zgjeruar të investitorëve. Ky artikull do të paraqesë informacione për veprimtarinë e biznesit në Kosovë, duke synuar që të shërbejë si ndihmesë për të gjithë ata që mendojnë të investojnë në Kosovë.

Peizazhi Ekonomik i Kosovës

Në vitin 2022, përkundër efekteve të forta që pandemia COVID-19 pati në ekonominë e saj, vendi përjetoi një normë të rritjes së PBB-së prej 3.5%, nxitur kryesisht nga eksportet dhe konsumi privat. Ndër eksportet kryesore të Kosovës përfshihen produktet e sektorëve të ndryshëm, ku ndër më kryesoret mund të renditen bujqësia, minierat dhe ndërtimi. Produktet kryesore të eksportit të vendit janë hekurishtet, nikeli, plumbi, dhe dyshekët. Për më tepër, Kosova ofron qasje të përshtatshme në Bashkimin Evropian (BE) përmes transportit ajror, rrugor, hekurudhor, si dhe tri porteve detare.

Aktualisht mjedisi i biznesit në Kosovë ka nisur të bëhet vërtet konkurrues, sidomos nëse do të vihej në krahasim me vendet e tjera të rajonit, pasi ajo u ofron gjithnjë e më shumë investitorëve të huaj një mjedis tërheqës dhe mikpritës falë mjaft avantazhesh, si normat e ulëta tatimore dhe sistemi tatimor në tërësi, regjistrimi mjaft i thjeshtë i bizneseve të reja dhe ligjet për investimet e huaja, që vlerësohen si të karakterizuara nga transparenca. Për shembull, një individ mund të regjistrojë një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar brenda vetëm dy ditëve, pa asnjë pagesë dhe pa kapital të autorizuar.

Jo vetëm kaq, por Kosova ka tërhequr interes të konsiderueshëm nga jashtë, ku shumë kompani ndërkombëtare kanë zgjedhur Kosovën si vendin e investimeve të tyre. Shumë prej tyre janë tërhequr nga fuqia punëtore rinore e Kosovës, kostot e punës të përballueshme, afërsia me tregun e BE, si dhe burimet natyrore të shumta. Veç kësaj, Kosova ofron gjithashtu kushte më se favorizuese për produktet që hyjnë në tregun e BE përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).

Avantazhet e Investimeve dhe Aktet Ligjore e Rregullatore në Kosovë

Legjislacioni dhe rregulloret në Kosovë janë në përputhje me standardet ndërkombëtare për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve. Në vend zbatohet një normë e sheshtë tatimi mbi të ardhurat e korporatave në nivelin 10%. Veçanërisht, në gusht të vitit 2022, me mbështetjen e dhe të USAID, Kosova prezantoi një gjykatë të re të posaçme si Gjykata Ekonomike. E krijuar për të trajtuar vetëm mosmarrëveshjet e biznesit dhe shoqërive tregtare në mënyrë të drejtë, të shpejtë dhe të parashikueshme, kjo gjykatë  synon të përmirësojë klimën dhe mjedisin e biznesit, të reduktojë gjer në minimum risqet e lidhura me fenomenin e korrupsionit dhe të nxisë besimin midis investitorëve dhe sektorit privat te sistemi gjyqësor. Ende në vitin e saj të parë të ushtrimit të veprimtarisë, gjykata ka shfaqur rezultate premtuese, duke u dhënë zgjidhje shumë çështjeve të biznesit me efikasitet dhe transparencë të shtuar ndjeshëm.

Kosova ndjek një politikë monetare të qëndrueshme duke përbërë njëherazi edhe një rast unik, pasi është një nga vendet e pakta joanëtarë të BE që përdor monedhën Euro si monedhën e saj zyrtare. Kjo ka ulur shqetësimet e lidhura mbi kursin e këmbimit dhe ka krijuar lehtësira të mëdha në fushën e tregtisë dhe investime, duke ulur tejmase kostot e transaksionit.

Pozicioni gjeografik i Kosovës në qendër të Ballkanit e bën atë një portë strategjike për Ballkanin dhe vendet anëtare të CEFTA, duke iu afruar një tregu prej afro 28 milionë banorësh, si dhe duke krijuar mundësi të panumërta për të bërë tregti dhe biznes.

Për më tepër, Kosova zotëron një fuqi punëtore tejet të re dhe shumëgjuhëshe, ku pjesa më e madhe e saj flasin anglisht dhe gjermanisht në mënyrë të rrjedhshme. Prej këtej vlen të theksohet se thuajse gjysma e popullsisë së saj është nën moshën 30 vjeç. Gjithashtu, kostot e punës në vend janë të ulëta dhe politikat tatimore shumë të favorshme. Me një pagë mesatare mujore prej 371 eurosh, ajo renditet si një ndër më të ulëtat në Evropë.

Mundësitë e Investimeve në Kosovë

Ka disa sektorë që ofrojnë mundësi investimi në Kosovë, duke përfshirë sektorin e energjisë, shëndetësisë dhe minierave.

Sektori i Energjisë – Aktualisht Kosova mbështetet kryesisht në industrinë e qymyrit për furnizimin e termocentraleve të saj, megjithatë ajo çfarë synohet në rang vendi është zgjerimi i kapaciteteve të prodhimit të energjisë, si dhe të diversifikohen burimet e saj, veçanërisht duke përqafuar gjithnjë e më shumë energjinë e ripërtëritshme. Në shkurt 2023, BE shfaqi mbështetjen e saj me një Paketë për Mbështetjen e Energjisë me vlerë 75 milionë euro, nëpërmjet së cilës kryesisht synohet të shtohet numri i programeve të subvencionimit dhe të ofrohet një tërësi stimujsh të tjerë që do të rrisnin efikasitetin e energjisë, duke u fokusuar veçanërisht në familjet në nevojë.

Sektori i Shëndetësisë – Kosova ka nevojë për përmirësim të kujdesit bazë dhe të specializuar mjekësor, shtim të numrit të mjekëve dhe infermierëve, si dhe më shumë spitale dhe pajisje mjekësore. Aktualisht, shumica e shërbimeve shëndetësore ofrohen dhe menaxhohen nga qeveria, megjithëse në treg janë duke hyrë një numër gjithnjë e më i madh kompanish private të ofrimit të këtij shërbimi. Shumë njerëz nga Kosova udhëtojnë drejt vendeve fqinje për të marrë trajtimin mjekësor të tyre. Kjo situatë ofron një mundësi shumë të mirë për investitorët e huaj, që të investojnë në Kosovë dhe të përfitojnë nga kërkesa e lartë për shërbime mjekësore lokale.

Minierat dhe Mineralet – Pavarësisht se në të shkuarën, minierat kanë përbërë një pjesë kyçe të ekonomisë së Kosovës, investimet së fundmi në pajisje, ndërtesa dhe miniera të reja nuk kanë qenë të mjaftueshme, edhe pse vendi ka rezerva minerare në pika kritike. Kështu, ekziston një mundësi e madhe për investitorët e huaj që janë të interesuar veçanërisht në alokimin e investimeve të tyre drejt këtij sektori. Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve (KPMM) ka dhënë më shumë se 500 licenca për eksplorime dhe operacione minierare që nga viti 2007 e deri në ditët e sotme.

Rrjedhimisht, ndërsa ekonomia e Kosovës vazhdon të rritet, natyrshëm edhe kërkesa për shërbime të specializuara në sektorë të ndryshëm do të vijojë të jetë në rritje. Në të përfshihet edhe nevoja për mbështetje në financa, çështjet ligjore, ndërtimin dhe projektimin, zhvillimin e softuerëve dhe dizenjimin grafik. Me zgjerimin e bizneseve dhe shfaqjen e sa vjen e më tepër ndërmarrjeve të reja, kërkesa për këto shërbime do të rritet për të siguruar aktivitet të qetë dhe në përputhje me rregulloret në fuqi. Kjo paraqet një mundësi të artë për profesionistët e kualifikuar dhe kompanitë, që të kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Me mjaft rëndësi është që individët, para se të angazhohen në investime konkrete, të jenë të informuar për implikimet ligjore, financiare dhe tatimore që karakterizojnë vendin e investimit. Firma jonë ofron mbështetje të vazhdueshme njohuri të gjithanshme dhe përvojën më të kualifikuar në fushën e taksimit ndërkombëtar. Mos ngurroni të na kontaktoni, që të organizojmë një takim informues më të imtësishëm me ju.

Informacione shtesë profesionale

Po konsideroni të ndërtoni biznesin tuaj në rajonin e Ballkanit?
Ekipi ynë është i gatshëm t'ju ndihmojë